Artikujt

Komentimi i kaptinës “El-Adijat”

Komentimi i kaptinës “El-Adijat”

وَالْعَادِيَاتِ ضَبْحًا. فَالْمُورِيَاتِ قَدْحًا. فَالْمُغِيرَاتِ صُبْحًا. فَأَثَرْنَ بِهِ نَقْعًا. فَوَسَطْنَ بِهِ جَمْعًا. إِنَّ الإِنسَانَ لِرَبِّهِ لَكَنُودٌ. وَإِنَّهُ عَلَى ذَلِكَ لَشَهِيدٌ. وَإِنَّهُ لِحُبِّ الْخَيْرِ لَشَدِيدٌ. أَفَلا يَعْلَمُ إِذَا بُعْثِرَ مَا فِي الْقُبُورِ. وَحُصِّلَ مَا فِي الصُّدُورِ. إِنَّ رَبَّهُم بِهِمْ يَوْمَئِذٍ لَّخَبِيرٌ

Pasha vrapuesit e shpejtë (kuajt) që dihasin (gulçojnë)! E që me thundrat e tyre nxjerrin xixëllima zjarri nga gurët, Dhe të cilët vërsulen herët në agim. E me të (vërsulje) atëherë çojnë pluhur. Dhe ashtu hidhen në mesin e grumbullit (të armikut). Vërtet, njeriu është përbuzës (mosmirënjohës) ndaj Zotit të vet. Edhe vetë është dëshmues i asaj (përbuzje) Dhe është ai, që e do shumë pasurinë. A nuk e di ai se kur të nxirret çka është në varreza? Dhe të tubohet (të dalë në shesh) ajo që ishte në gjokse. E atë ditë, pa dyshim Zoti i tyre është i njohur për punën e tyre.” – (El-Adijat, 1-11)

***
Kaptina “El-Adijat” është kaptinë mekase, e zbritur pas sures “El-Asr” dhe para sures “El-Kevther”. 
Transmeton Ibn Merduvije nga Ibn Abasi, se kjo kaptinë (El-Adijat) ka zbritur në Mekë. Të të njëjtit mendim janë edhe Ibn Mes’udi, Xhabiri, Hasan el Basriu, Ikrimja, dhe Atau, kurse Enes bin Maliku dhe Katadeja e në një rivajet tjetër edhe Ibn Abasi, janë të mendimit se kjo sure ka zbritur në Medinë. 
Megjithatë mendimi i parë se kjo sure ka zbritur në Mekë është shumë më i fortë dhe më i argumentueshëm.
Kjo sure ka gjithsej 11 ajete, 40 fjalë e 166 shkronja. Në radhitjen e Mus’hafit mban numrin 100, kurse në radhitjen e zbritjes është e 14-ta. 

Emërtimi i kësaj kaptine.
Kjo kaptinë është emërtuar “El-Adijat”, sipas betimit të Allahut në vrapuesit e shpejtë që dihasin (gulçojnë), e që sipas shumicës së dijetarëve janë kuajt e luftëtarëve (kalorësve) në rrugën e Allahut. Këta vrapues, hingëllima e të cilëve shpon qiellin dhe pas vetes nga trokëllimat e thundrave të tyre, lënë shkëndija zjarri, janë krenaria e muslimanëve, sepse edhe në të kaluarën, e, edhe tash, për shkak të qëndrueshmërisë dhe rezistencës fizike në kushte të vështira atmosferike, siç janë vapa e madhe apo të ftohtët e madh, këta kuaj konsiderohen raca më e mirë në botë. 

Vlera e kësaj kaptine
- Transmeton Ebu Ubejdi në “El-Fedail” nga Hasani të ketë thënë: “Ka thënë i Dërguari i Allahut s.a.v.s.: “Kaptina “Ez-Zelzele” është e barabartë me gjysmën e Kur’anit”, kaptina “El Adijat” është e barabartë me gjysmën e Kur’anit”. Të njëjtin transmetim të përcjellë nga Ibn Abbasi nëpërmjet Ata’ë ibn Ebi Rebahut e transmeton edhe Muhammed ibn Nasr me shtesat se surja “El-Ihlas” është e barabartë me 1/3 e Kur’anit, dhe surja “El-Kafirun” është e barabartë me 1/4 e Kur’anit”. 

Lidhshmëria e kësaj kaptine me atë paraprake Ez-Zelzele
Lidhshmëria e kësaj kaptine me atë paraprake “Ez-Zelzele”, shfaqet në dy segmente:
1. S’ka dyshim se ndërmjet fjalëve të Allahut në ajetin e 2 të sures “Ez-Zelzele”: “Dhe të nxjerrë toka atë që ka në brendinë e saj (barrën nga brenda-të varrosurit), dhe atyre në ajetin e 9 të sures “El-Adijat”: “ A nuk e di ai se kur të nxirret çka është në varreza?”, ekziston një ngjashmëri kuptimore dhe vazhdimësi tematike që flet për momentin kur çdo kush që ka qenë i varrosur në brendi të tokës, do të ringjallet për të dalë para Allahut në Llogarinë përfundimtare, dhe 
2. Allahu xh.sh. në suren paraprake, në ajetet e fundit të saj, thotë: “E kush punoi ndonjë të mirë, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë. Dhe kush punoi ndonjë të keqe sa grimca, atë do ta gjejë. (Ez-Zelzele, 7-8), duke na bërë me dije se, Dijes së Tij nuk mund t’i shpëtojë asnjë detal qoftë edhe i vogël sa atomi, e, edhe më pak, ndërsa në suren “El-Adijat”, në ajetin e fundit thotë: “E atë ditë, pa dyshim Zoti i tyre është i njohur për punën e tyre.”, që vërteton se tek Allahu nuk humb përpjekja e askujt, dhe se atë ditë, Drejtësia Hyjnore do të na gjykojë në bazë të veprave tona, sepse Allahu xh.sh. është në detaje i informuar se çfarë kemi vepruar në këtë botë.

Koment:
وَالْعَادِيَاتِ ضَبْحًا. فَالْمُورِيَاتِ قَدْحًا. فَالْمُغِيرَاتِ صُبْحًا. فَأَثَرْنَ بِهِ نَقْعًا. فَوَسَطْنَ بِهِ جَمْعًا. 
1. Pasha vrapuesit e shpejtë (kuajt) që dihasin (gulçojnë)!
2. E që me thundrat e tyre nxjerrin xixëllima zjarri nga gurët,
3. Dhe të cilët vërsulen herët në agim.
4. E me të (vërsulje) atëherë çojnë pluhur.
5. Dhe ashtu hidhen në mesin e grumbullit (të armikut).

Shkaku i zbritjes së kësaj sureje
- Ka thënë Mukatili: I Dërguari i Allahut dërgoi një ekspeditë kalorësish te fisi Kenane, në krye me Mundhir bin Amr el-Ensariun, ndërkohë që kaloi një kohë e nuk u dëgjua asnjë lajm për ta. Munafikët filluan të flisnin e të thoshin se ata janë vrarë të gjithë, e pastaj Allahu xh.sh. nëpërmjet kësaj sureje “Vel Adijati...”, njoftoi të dërguarin e Tij, se kalorësia muslimane në atë ekspeditë, e kishin kryer me sukses misionin e tyre. (Shënim yni: S.B.) 
- Transmetojnë Bezzari dhe Ibn ebi Hatimi nga Semmaku, ky nga Ikrime e ky nga Ibn Abasi të ketë thënë: “I Dërguari i Allahut dërgoi një ekspeditë kalorësish në një mision, të cilët u vonuan, duke u futur në toka të largëta e të gjera, për një muaj, duke mos pasur asnjë lajm për ta, prandaj edhe zbriti ajeti: (Vel adijati dabha) - “Pasha vrapuesit e shpejtë (kuajt) që dihasin (gulçojnë)!” 

***
Sipas shumicës së dijetarëve, betimet në tre ajetet e parë të kësaj kaptine kanë të bëjnë me kuajt e luftëtarëve në rrugën e Allahut, të cilët guximshëm hyjnë në mes të luftës, në mes të shpatave e hanxharëve, të udhëhequr nga kalorësit trima e sypatrembur muslimanë, të cilët me gjakun dhe jetën tyre synojnë lartësimin e fjalës së Allahut në tokë.
Ka disa dijetarë, që thonë se me këto ajete nuk nënkuptohen kuajt, por devetë, dhe në lidhje me këtë sjellin transmetimin e një bisede në mes të Aliut r.a. dhe Ibn Abasit, ku Aliu r.a. i thotë, që me fjalën “Vel-Adijati” janë për qëllim devetë, të cilat lëvizin së bashku me haxhinjtë nga Arefati në Muzdelife, dhe prej Muzdelifes në Mina. Të njëjtin mendim me Aliun r.a. e ka edhe Ibn Mes’udi. 
Sidoqoftë, meqë mendimi i shumicës së dijetarëve të tefsirit, është se me këto ajete nënkuptohen kuajt, atëherë edhe ne përkrahim këtë mendim, dhe në bazë të kësaj do t’i komentojmë ajetet në vazhdim...
Fjala “El-Adijat” vjen nga “el-adev” dhe d.t.th. shpejtësi, me të cilën përshkruhen kuajt e shpejtë.
Fjala “Dabha” nënkupton dihamën (gulçimin) e kalit ose më saktësisht zërin që e lëshon ai nga frymëmdalja prej hunde, pas vrapimit të shpejtë, kurse fjala “El-Murijat” vjen nga “el-ira’ë” dhe d.t.th. nxjerrje e shkëndijave të flakës.
Allahu i madhërishëm, dëshiroi T’u sillte njerëzve shembuj për vlerën e xhihadit, saqë u betua edhe në krijesat e Tij-kuajt, të cilët atëbotë ishin një prej mjeteve më efikase të luftës, dhe tregonin epërsi e superioritet. Në lidhje me këtë, I Lartmadhërishmi thotë: “E ju përgatituni sa të keni mundësi force, (mjete luftarake), e kuaj të caktuar për betejë kundër atyre (që tradhtojnë) e me të, (me përgatitje), ta frikësoni armikun e Allahut, armikun tuaj dhe të tjerët, të cilët ju nuk i dini (se kush janë), e Allahu i di ata...” – (El-Enfal, 60).
Përshkrimi që Ua bën i Lartmadhërishmi, kuajve, të përfytyron para vetes një pamje madhështore, teksa të ravijëzohen para syve troket (vrapimet) e shpejta të këtyre krijesave, teksa hingëllijnë në agun e parë të mëngjesit, duke çarë përpara drejt zemrës së ushtrisë armike. Hapat e tyre të shpejtë nëpër gurë e shkëmbinj, bëjnë që nën trokëllimën e thundrave dhe patkonjve të tyre të dalin xixëllima si flakë të tërbuara, që ua kallin datën armiqve, teksa vërshojnë si një lum i rrëmbyeshëm drejt tyre. Nga ky vrapim i shpejtë e i furishëm i tyre, ngrihen re të mëdha pluhuri, të cilat pos që krijojnë përshtypjen e numrit të madh të ushtarëve, po ashtu ua verbon sytë armiqve dhe i bën që nga frika, ata të humbasin vetëbesimin në fushëbetejë. Në këto çaste, kur këta kuaj vërsulen sikur drangoj në mes të fushëbetejës, u japin rastin kalorësve të lavdishëm të Islamit që të çajnë përpara dhe t’i shkaktojë disfatë kufrit e idhujtarisë.
Në anën tjetër, kuajt në të cilët është betuar i Gjithëpushtetshmi, posedojnë disa cilësi të cilat nuk i kanë kafshët e tjera. Ato janë krijesa fisnike, janë mjete luftarake, janë të shpejta dhe shërbejnë për bartjen e mallrave e gjësendeve që janë në dobi të njeriut. Në lidhje me këtë, i Dërguari i Allahut ka thënë: “Në balluket e kuajve është e lidhur mirësia deri në Ditën e Gjykimit” e në një transmetim tjetër: “Në balluket e kuajve qëndron mirësia deri në Ditën e Gjykimit”. 
Mbase është kjo arsyeja, që, njerëzit të nxiten të rrisin e të trajnojnë kuajt e racës më të kërkuar në botë (kuajt arab), që këta të shfrytëzohen vetëm për aktivitete luftarake, në trajnim të luftëtarëve, e që, jo rastësisht, në shekujt e fundit këta kuaj fisnik përdoren edhe për gara sportive, etj.
Ndërkohë, disa nga dijetarët bashkëkohorë të Tefsirit, e në mesin e tyre Dr. Xhemil Ratib en-Nabulsi, mendojnë se me fjalën “El-Adijat”, nënkuptohen erërat, me fjalën “El-Murijat” - retë që prodhojnë bubullimë dhe vetëtimë, ndërsa me fjalën “El-Mugirat”, nënkuptohen retë që bartin shiun, i cili ujit tokën dhe bën që nga ajo të mbijnë bimë që shërbejnë si ushqim për njeriun.
Vetë Nabulsi, nuk e mohon që me këto ajete në radhë të parë të jenë synuar kuajt e luftëtarëve në rrugën e Allahut, mirëpo në anën tjetër, sipas ixhtihadit (përpjekjes) të tij personal, e jep mendimin se këtu mund të bëhet fjalë edhe për erërat dhe retë që lëshojnë bubullima e vetëtima, e pastaj edhe ujë, me anë të cilit çdo bimë në tokë, gjallërohet e freskohet. Sidoqoftë, saktësinë e këtyre kuptimeve, e di më së miri Allahu xh.sh..

إِنَّ الإِنسَانَ لِرَبِّهِ لَكَنُودٌ
6. Vërtet, njeriu është përbuzës (mosmirënjohës) ndaj Zotit të vet.
Përgjigjja ndaj betimeve hyjnore në tre ajetet e para të kësaj sureje paraprake, vjen në ajetet vijuese, që nënkupton se njeriu vërtetë është mosmirënjohës dhe përbuzës ndaj dhuntive dhe mirësive të Allahut ndaj tij. Shumica e dijetarëve, janë të mendimit se qëllimi për njeriun është njeriu jobesimtar, i cili nuk i përulet Krijuesit të tij, e as nuk është falënderues. Madje nuk i respekton as ligjet, urdhëresat apo ndalesat e Tij, por me mendjemadhësi mendon se është i gjithëpushtetshëm dhe që mbizotëron fatin e jetës së vet. 
Në lidhje me kuptimin e fjalës “kenud” dijetarët kanë sjellë disa kuptime, duke u thirrur në dialektet e fiseve të ndryshme arabe. F.v. në dialektin e fiseve Mudar dhe Rebia, kjo fjalë nënkupton mohimin e të mirave, në dialektin e fisit Kenane, nënkupton njeriun koprrac, kurse në dialektin gjuhësor të fisit Kinde dhe të Hadramevtit, mëkatarin. Nga kjo shohim se që të tre kuptimet shprehin një ves apo cilësi të shëmtuar, e në këtë rast, kjo fjalë më së shumti përputhet me mohimin i të mirave, apo mosmirënjohjen.
Si në të kaluarën, ashtu edhe tash, shohim se mendjemadhësia e kufrit ka qenë dhe vazhdon të jetë e pranishme në shumë mendje të sëmura njerëzore. Madje, ka shumë edhe prej atyre shkencëtarëve mendjelehtë, të cilët pretendojnë se me kalimin kohës do të shpikin barëra apo mjete, që do ta bëjnë të pavdekshëm njeriun. Sa qesharake që janë këto pretendime të marra të tyre. Këta të mjerë nuk janë të vetëdijshëm se nuk mbizotërojnë asgjë, e madje nuk e mbizotërojnë as trupin e tyre. Nuk mbizotërojnë as frymëmarrjen e as të rrahurat e zemrës, të cilat i nënshtrohen vetëm Krijuesit të tyre Allahut xh.sh..
Këta njerëz “të burgosur” brenda kafazit të kënaqësive egoiste të qenies së tyre të ndyrë, janë fundërrina më të ulëta njerëzore, të cilët kanë humbur dynjanë me iluzionet tyre të rreme, e që më tragjikja për ta do të jetë humbja e Ahiretit, sepse ata nuk do të kenë fatin të shijojnë asnjë prej mirësive të Allahut në botën tjetër, në botën e përjetësisë. 

وَإِنَّهُ عَلَى ذَلِكَ لَشَهِيدٌ
7. Edhe vetë është dëshmues i asaj (mosmirënjohjeje).
Ata që zemrat e tyre i ushqejnë e i ujisin me kufër, nuk çajnë fare kokën teksa mohojnë haptazi Allahun dhe mirësitë e Tij. Madje ata as nuk turpërohen fare nga mohimi i tyre, sepse edhe fjalët edhe veprat e tyre dëshmojnë për këtë.
Një shembull të tillë të mburrjes së idhujtarëve me shëmtitë e tyre na e jep Allahu xh.sh. kur në lidhje me ta thotë: “Nuk është e drejtë e idhujtarëve të kujdesen për xhamitë e Allahut, duke qenë se vetë dëshmojnë për veten e tyre se janë mohues. Të tillëve u shkuan kot veprat e tyre dhe ata janë përgjithmonë në zjarr.” – (Et-Tevbe, 17)
Jobesimtarët, në çdo kohë, dëshmojnë haptazi për mosbesimin që kanë në zemra, duke mos e pranuar Allahun si krijues të tyre, e që pretendojnë e shpifin se në këtë botë kanë ardhur si pasojë e një procesi zinxhiror që ka ndodhur në natyrë. Madje, këta lodhin së koti mendjet e tyre, duke u përpjekur që nëpërmjet “zbulimeve” gjoja shkencore, të dëshmojnë këto pretendime të tyre të sëmura...
Por, megjithatë, në Ditën e dëshmisë së madhe, pas ringjalljes, ata do të jenë dëshmitarë të njëmendtë të injorancës, pacipësisë dhe krekosjes së tyre, kur do të binden se çdo vepër e tyre ka qenë në kundërshtim me natyrën fisnike, në të cilën i ka krijuar i Madhi Zot. Atëbotë nuk do t’i bëjë punë as pasuria e tij, pas së cilës ka ngarendur si i çmendur...

وَإِنَّهُ لِحُبِّ الْخَيْرِ لَشَدِيدٌ
8. Dhe ai është që shumë e do pasurinë.
Fjala “hajr” në këtë ajet, nënkupton pasurinë, dhe këtu shihet se deri në ç’masë njeriu i pa fe e pa besim është i lidhur pas botës materiale. Zemra e tij lakmon vetëm grumbullimin e pasurisë pa zgjedhur mjetet e as metodat. Kjo pasuri e bën koprrac, të pamëshirshëm ndaj të varfërve dhe eksploatues të tyre. Ai mendon se me këtë pasuri mund të bëjë çfarë të dojë, por harron një fakt shumë të rëndësishëm: se kjo pasuri i është dhënë atij në amanet për një kohë të shkurtër gjatë jetës në këtë botë, dhe se kjo pasuri ishte një sprovë e madhe për të, dhe do të japë llogari se në ç’mënyrë e ka shfrytëzuar, për të mirë apo për të keq. Kjo pasuri e ka bërë të mburret, të krekoset, e të mohojë edhe Krijuesin e vet, e kjo do të thotë se ai ka rënë pre e tundimit djallëzor dhe ka humbur përgjithmonë botën e amshimit...

أَفَلا يَعْلَمُ إِذَا بُعْثِرَ مَا فِي الْقُبُورِ. وَحُصِّلَ مَا فِي الصُّدُورِ. إِنَّ رَبَّهُم بِهِمْ يَوْمَئِذٍ لَّخَبِير
9. A nuk e di ai se kur të nxirret çka është në varreza?
10. Dhe të tubohet (të dalë në shesh) ajo që ishte në gjokse.
11. E atë ditë, pa dyshim Zoti i tyre është i njohur për punën e tyre.

Pyetja me të cilin nis ky grup ajetesh, është shprehje me të cilën synohet të vetëdijesohen të gjithë femohuesit, se mburrjes së tyre me pasuri do t’i vijë fundi, me rastin e vdekjes, ku njeriu transferohet prej një jetë në tjetrën.
Këta as që kanë idenë se pas vdekjes, do të ringjallen dhe do të dalin nga varrezat e tyre për t’u nisur në vendtubimin e madh-“El-Hashr”, kur çdo fshehtësi dhe sekret do të dal sheshazi. Përse të tillët, që bënë vepra të këqija, nuk u ndalën të logjikonin se Allahut xh.sh. nuk mund T’i fshihet dot asnjë e fshehtë, kur dihet se Ai është Krijuesi i të dukshmes dhe i të fshehtës. Përse nuk logjikuan se asnjë proces në këtë gjithësi nuk ndodh pa dijen dhe vullnetin e Allahut. Le të mburren tani me pasurinë e tyre, kur do të dalin të përbuzur e të nënçmuar para Allahut! Ata do të mbesin të mjerë nga paaftësia e tyre. Mbi ta do të bjerë hija e zezë e turpit, e vendqëndrimi i tyre i përhershëm do të jetë zjarri i Xhehenemit...

Porosia e kësaj sureje:
- Të përmendurit e kuajve me të cilët luftëtarët në rrugën e Allahut luftojnë heroikisht, na bën të kuptojmë për rëndësinë e mjeteve luftarake dhe përgatitjet për luftë që duhet bërë kundër armikut. 
- Dashuria ndaj pasurisë është një instinkt i natyrshëm njerëzor, mirëpo muslimani duhet të ketë kujdes të madh në këtë çështje. Ai duhet të përpiqet që me këtë pasuri, të cilën Allahu Ia ka lënë në dispozicion, të mos i shpërfillë vlerat e tij njerëzore. Ai këtë pasuri duhet ta shfrytëzojë, duke ndihmuar nevojtarët, familjarët, farefisin e tij, dhe për të mirën e përgjithshme të Ymetit, e kurrsesi të bëhet rob i saj, sepse në momentin që do ta dorëzojë shpirtin para Krijuesit të tij, asgjë nga pasuria e tij nuk do t’i vlejë më. Me vete do t’i marrë vetëm veprat (amelet) e tij.
- Ai që gjatë jetës së kësaj bote preokupohet vetëm me pasuri, duke lënë anash detyrimet fetare, në fakt është i humbur në të dy botët, por humbja më e madhe është humbja e Ahiretit.
- Njeriu kurrë nuk duhet të jetë përbuzës dhe mosmirënjohës ndaj të mirave të Allahut në këtë botë, aq më pak për mirësitë e Tij të pakufishme në Botën tjetër. Pasuria dhe të mirat e kësaj bote nuk duhet të na hutojnë që ta harrojmë Allahun xh.sh., e të ngarendim pas mashtrimeve djallëzore të shejtanit. 
- A thua ia vlen të mos jemi mirënjohës ndaj dhuntive të Allahut e të ringjallemi të verbër, të nënçmuar e të përbuzur, kur i kemi pranë vetes të gjitha mundësitë e fitimit të kënaqësisë së Allahut si në këtë botë ashtu edhe në tjetrën. A nuk thotë edhe i Lartmadhërishmi në Kuran: “E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në ditën e kiametit do ta ringjall të verbër. Ai (që nuk besoi) do të thotë: “Zoti im, përse më ngrite (ringjalle) të verbër, kur unë isha me sy?”. Ai (Allahu) thotë: “Ashtu si harrove ti argumentet Tona që t'i ofruam, ashtu je ti i harruar sot”. Po kështu Ne e shpërblejmë edhe atë që zhytet në mëkate dhe nuk i beson argumentet e Zotit të vet, po dënimi në botën tjetër është edhe më i ashpër dhe i përjetshëm.” (Ta-Ha, 124-127)

Sabri ef. Bajgora

Tanzil.net

Mp3quran.net

Sa janë online

Kemi 11 miq dhe s'ka antarë në linjë

Kryesia e BIRK - ut

Lajme – Bashkësia Islame e Kosovës